Rreth fermes tone
Historia jone
Bletaria Puleri përbën një fermë me një përvojë mbi 60 vjeçare në fushën e bletarisë, të trashëguar brez pas brezi dhe të gërshetuar me të gjitha metodat bashkëkohore. E krijuar në vitin 1997 nga z.Harillaq Puleri, por me një zanafillë shumë më të hershme.
Gjithçka ka filluar rreth viteve ‘50 nga z.Nikollaq Qirko, agronom dhe bletar i specializuar në Universitetin Bujqësor të Kievit në Ukrainë. Nikollaq Qirko ka filluar punën si bletërritës më 1951 me rreth 40 shoqëri bletësh. Me kalimin e viteve, vazhdoi punën si krye bletërritës dhe përgjegjës për rreth 15 parqe bletësh në rrethin e Gjirokastrës, ku ndau eksperiencën e grumbulluar jashtë vendit me shumë bletarë të tjerë. Pas vitit 1990 ai privatizoi një park të vogël me 60 koshere bletësh, ku edhe punoi për katër vite. Në fund të vitit 1994 z.Nikollaq Qirko ndërroi jetë duke lenë pas një park me 80 koshere bletësh, i cili u administrua nga dhëndri i tij z.Harillaq Puleri. Harillaq Puleri i diplomuar në Universitetin e Beogradit në Serbi, vazhdoi punën me bletët deri në moshën 84 vjeçare. Parku i bletëve më pas kaloi tek nipi i tij Kostandin Puleri, i cili pas një investimi dhe ndryshimi rrënjësor duke ndërthurur eksperiencën e tij me bletët, nga puna në një nga parqet më të mëdha në Greqi, arriti në shifrën e 150 koshereve. Ky është edhe numri që përbën parkun e sotëm të kësaj bletarie.
Tashmë e vendosur në kullotat e famshme të Lunxherisë në Gjirokastër, e ndarë në tre nën parqe, (dy prej të cilave për prodhim vjetor) përbën një fermë me rëndësi në jug të vendit.
Në ditët e sotme, ka arritur të grumbulloj jo vetëm mjaltin por edhe produktet e tjera të bletës si: qumështi i bletës mbretëreshë, propolisi dhe poleni. Kullotat e pasura natyrore gjatë gjithë vitit, mund të themi se përmbledhin pothuajse të gjithë florën mjaltëdhënëse shqiptare dhe i garantojnë klientëve të fermës cilësinë.

Teknologjia dhe rracat e mbareshtuara
Me teknologji bashkëkohore, vjelje të mjaltit me anë të centrifugave moderne automatike dhe pajisje të sigurta grumbullimi, pastrimi dhe ambalazhimi garantohen standartet e kërkuara nga konsumatori.
Po ashtu, me anë të koshereve prej druri të tipit Langstroth, sigurohen kushte mjaft të përshtatshme mbarështimi dhe rritjeje sa më tё shendetshme për të gjitha kolonitë e bletëve, duke patur në këtë mënyrë impakt të drejtpërdrejtë në cilësi dhe përmirësim të rendimentit prodhues.
Në bletoren e Bletarisë Puleri, racat e perdorura janë tepër cilësore dhe nëpërmjet tyre sigurohet një prodhimtari tepër e lartë. Pjesën dërmuese e përbën bleta e racës Apis Mellifera Carnica. Një bletë me ngjyrë të hirtë, e cila është gjerësisht e përhapur në juglindje te Europës, kryesisht në Ballkan, në Karpatet dhe Alpet lindore. Është rezistente ndaj të ftohtit, ka të zhvilluar roitjen dhe mbrohet mirë nga grabitjet e bletëve të tjera. Ajo është e përshtatur mjaft mirë me kushtet klimatike të vendit tonë dhe kur mbarështohet sipas kritereve të drejta teknike, jepë sasi të shumta prodhimesh në bletari. Prej saj njihen edhe rekordet e mjaltit, të cilat llogariten deri në 100 – 120 kg për një koshere në vite të veçanta.
Por edhe një racë tjetër mjaft cilësore ndodhet në këtë bletore. Ajo gjendet në rreth 50 koloni bletësh në park dhe ka ofruar rezultate tepër të larta ndër vite. Kjo bletë është Apis Mellifera Ligustica, e cila shpesh herë quhet e verdha italiane dhe kjo pasi ngjyra e verdhë është karakteristike e segmenteve në barkut e saj. Ajo ka vështirësi përshtatjeje në rajone të ftohta dhe me lagështirë, megjithatë është e përhapur në shumë vende të botës. Ligustica konsiderohet si raca më e bukur e bletëve mjaltëdhënëse në mbarë globin.

